Shumë prej nesh jemi rritur me receta speciale shtëpiake për ftohjen, që janë trashëguar nga një gjeneratë te tjetra dhe gjithashtu me recetat tona personale dhe mënyrat të cilat i kemi krijuar për të luftuar gripin dhe ftohjen.
I kemi përdorur të gjitha – ose të paktën kemi parë të tjerët ti përdorin: për shëmbull, jemi mbuluar me batanie shtesë, nuk jemi të sigurt nëse duhet „të ushqejmë ftohjen dhe të mos ushqejmë temperaturën” ose është mbase e kundërta, kemi mbajtur shpesh kokën të ulur mbi legen me ujë të nxehtë që avullon- gjithçka në përpjekje për të djersitur ose për të na marrë shumë uria dhe në këtë mënyrë të dëbojmë gripin ose ftohjen.
Mbase nga këto përpjekje bëhemi pak më mirë por shpesh nuk kanë asnjë efekt, efekti i tyre është i përkohshëm, lehtësim i simptomave. Duke i parë në këndvështrimin e kohëzgjatjes, këto lloj përpjekjesh munden vetëm sa zgjasin periudhën e shërimit.
Këto lloj mitesh janë të zakonshme, ashtu si gripi dhe ftohja. Mënyra më e mirë për tu mbrojtur nga virusi i ftohjes ose gripit është të keni njohuri mbi faktet dhe jo mitet.
Dhe sigurisht, larje e shpeshtë e duarve!
Alkooli është ilaç i mirë për trajtimin e ftohjes dhe gripit. E PASAKTË!
Kjo është thjesht e pasaktë. Ky mit i zakonshëm është i bazuar në idenë se alkooli mund të shkatërrojë virusin e ftohjes dhe gripit, prandaj disa persona hedhin një gotë alkooli të vogël në çaj ose në lëngje të tjera. Megjithatë, kur alkooli hyn në trupin tuaj, ai thithet nëpërmjet stomakut dhe traktit gastrointestinal, dhe nuk futet në traktin respirator të sipërm, ku ndodhet.virusi Shanset janë të pakta që alkooli/ pijet alkoolike të ndikojnë në luftën kundër ftohjes ose gripit sepse alkooli nuk ka kontakt të drejtpërdrejtë me virusin.
Jo vetëm që alkooli nuk ndikon në shkatërrimin e virusit të gripit ose ftohjes, por ai mund të shkaktojë efekte negative, të cilat mund të përkeqësojnë simptomat e gripit ose ftohjes. Alkooli dehidron organizmin dhe kështu ngadalëson reagimet e tjera fizike dhe dobëson sistemin imunitar. Gjithashtu, alkooli mund të stimulojë komplikacione të rënda nëse konsumohet në të njëjtën kohë kur konsumohen dhe medikamente të caktuara. Në çdo rast, dhe kur jeni të sëmurë, shmangni pijet alkoolike.
Supa e pulës është ilaç i mirë për kurimin e ftohjes dhe gripit. E PASAKTË!
Supa e pulës është ndoshta ilaçi popullor që përdoret më shpesh për trajtimin e ftohjes ose gripit, por a është më të vërtetë efektive në kurimin e simptomave të virusit të ftohjes dhe gripit ?
Si dhe tek shumica e pijeve të ngrohta që nuk përmbajnë kofeinë, thithja e avujve të nxehtë të supës mund të lehtësojë bllokimin e hundës. Sasirat e mëdha të lëngjeve mund të parandalojnë dehidrimin. Gjithashtu, disa mendojnë se supa e pulës mund të qetësojë inflamacionin, sepse disa hulumtime laboratorike tregojnë që ka përmbajtje anti-inflamatore. Nuk është e qartë nëse kjo ndikon në ftohjen në termat realë. Një studim tregon se supa e pulës mund të përmbajë amino acid cysteine, i cili shpërbëhet në supë gjatë gatimit të mishit të pulës. Ky acid, nga përbërja është i ngjashëm me acetilcisteinën, substancë kjo që është komponent përbërës i ilaçeve që përshkruhen kundër kollës. Funksioni i tij është të shpërbëjë sekrecionet në hundë dhe fyt dhe të lehtësojë frymëmarrjen. Supa e pulës, kombinimi i mishit të pulës me perime, veçanërisht nëse në të shtohet pak hudhër dhe piper, mund të forcojë personin gjatë kohës kur nuk ka oreks, dmth gjatë gripit dhe ftohjes.
Megjithatë, konsumimi i sasive të mëdha të supës së kripur të pulës ( për shkak të sasisë së madhe të kripës –natriumit), mund të përkeqësojë simptomat e ftohjes dhe gripit sepse çon në hipernatriemi (rritje të nivelit të natriumit në gjak) dhe hipernatriemia shkakton dehidrim të trupit. Dehidrimi është gjëndje që shfaqet kur personi humbet më shumë ujë/lëngje sesa konsumon, kështu që çrregullohet balanci i mineraleve në lëngjet e trupit. Dehidrimi nuk është gjëndje e natyrshme dhe konsiston në faktin se qelizat e trupit nuk marrin sasinë adekuate të ujit. Një nga gjërat kryesore që mund të bëni në kurimin e ftohjes dhe gripit është që të kujdeseni të mos dehidroni. Hidratimi i mirë mund të ndihmojë në hollimin e sekrecioneve dhe mund të lehtësojë simptomat e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes.
Vaksinimi kundër gripit mund të shkaktojnë gripin. E PASAKTË!
Një mit i madh. Ekziston një keqkuptim i madh se vaksina kundër gripit mund të shkaktojë gripin, për arsyen se vaksina kundër gripit përmban virusin jo aktiv të gripit.
Në fakt, vaksina kundër gripit prodhohet nga virusi i ngordhur ose i mbytur i gripit, prandaj nuk është e mundur të infektoheni nga gripi nga një vaksinë e tillë.
Megjithatë, vaksina mund të stimulojë reagimin imunitar të trupit tuaj, kështu që keto reagime imunitare mund të shkaktojnë simptoma të lehta, të cilat zgasin 1 ose 2 ditë. Si rregull, nuk janë simptoma serioze, dhe kanë të bëjnë me dhimbje, skuqje ose ënjtje të vëndit ku bëhet vaksina, ngritje të lehtë temperature dhe dhimbje të lehta muskujsh.
Duhet të theksohet se viruset e gripit ndryshojnë çdo vit, kështu që është e nevojshme që çdo vit të bëhet vaksina kundër gripit për të parandaluar zhvillimin e gripit sezonal. Gjithashtu, vaksina kundër gripit nuk garanton 100% mbrojtje, sepse mund të infektoheni nga lloji i virusit që nuk mbulohet nga formula e vaksinës e përdorur për atë vit të caktuar.
Të ushqejmë ftohjen, por mos të ushqejmë temperaturën. E PASAKTË!
A duhet të ushqejmë ftohjen, dhe të mos ushqejmë temperaturën? ose mbase e kundërta. A duhet të mos ushqejmë ftohjen dhe të ushqejmë temperaturën?
Çfarë do që të keni dëgjuar mbi këtë, lajmi i mirë ështe se ë githë kjo është nje thënie miti: mosushqyerja nuk mund të jetë kurrë mënyrë e mirë e trajtimit të gripit ose ftohjes, sepse zvogëlimi i përnjëhershëm në marrjen e kalorive shkakton stres për sistemin imunitar, ndërsa marrja e kalorive përmirëson sistemin imunitar.
Kur vuani nga gripi ose ftohja, gjëja më e rëndësishme është të pini shumë lëngje dhe të hani ushqime të pasura me zink dhe antioksidantë, siç janë beta-karoteni dhe vitaminat C dhe E.
Ushqimet e pasura me zink përfshijnë vezët, mishin, arrat, frutat e detit, farat e ndryshme, gruri dhe drithërat ndërsa antioksidantët në sasi të mëdha gjënden tek frutat dhe perimet me ngjyrë jeshile të çelur dhe të errët. Dhe patjetër duhet të pini sasi të mëdha uji!
Antibiotikët mund të kurojnë ftohjen dhe gripin. E PASAKTË!
Jo, as kjo nuk është e saktë. Shumë njerëz akoma mendojnë gabimisht se antibiotikët mund të përdoren në kurimin e ftohjes dhe gripit.
Në studimin e publikuar nga revista e Oxfordit për klinikën infektive, shumica e pacientëve janë të gatshëm të marrin antibiotikë në kurimin e gjëndjeve që janë më së shumti të shkaktuara nga viruset, siç është rasti i gripit, dhimbjes së fytit, kollës dhe dhimbjeve të veshit.
Ftohja dhe gripi shkaktohen nga viruset, dhe antibiotikët nuk ndihmojnë, sepse nuk kanë efekt në luftën kundër viruseve. Antibiotikët janë efektivë vetëm kundër infeksioneve të shkaktuara nga bakteriet.
Përveç kësaj, marrja e antibiotikëve kundër inflamacioneve virale mund të dëmtojë më shumë sesa të shërojë- marrja e atibiotikëve kur nuk është e domosdoshme dhe kur nuk mund të kurojë sëmundjen rrit rrezikun e rezistencës së mëvonshme ndaj infektimeve. Përdorimi jokritik dhe jorracional i antibiotikëve tek inflamacionet virale mund të ketë pasoja serioze për shoqërinë në tërësi.
Antibiotikët mund të përdoren në kurimin e infeksioneve bakteriale të cilat ndonjëherë mund të shkaktohen si pasojë sekondare e infeksioneve virale, por nuk janë efektivë kundër vetë infeksionit viral.
Prandaj, nëse jeni të ftohur ose keni grip, në asnjë mënyrë nuk duhet të përdorni antibiotikë, veçanërisht jo „me mëndjen tuaj“, dmth pa rekomandim të mjekut.
Koha e ftohtë mund të shkaktojë ftohjen dhe gripin. E PASAKTË!
Jo! Çdonjëri prej nesh ka dëgjuar paralajmërimin që të mos dalim jashtë me flokë të laguar ose pa xhaketë që të mos „ftohemi“. Vetëm ideja që dikush mund të ftohet sepse ekspozohet ndaj të ftohtit ose kohës së lagësht është ndoshta miti më i përhapur dhe më i shpeshtë mbi gripin dhe ftohjen.
Madje edhe termi „ftohje“ aludon në këtë keqkuptim. Në të vërtetë, viruset janë shkaqet e vetme të gripit dhe ftohjes. Po si shpjegohet atëherë fakti që gripi dhe ftohja janë më të përhapur gjatë kohës së ftohtë dhe të lagësht?
Instituti Kombëtar për alergjitë dhe sëmundjet infektive të qeverisë së SHBA konfirmon se është e mundur që kjo të lidhet me fillimin e vitit shkollor dhe prirjen e njerëzve që gjatë periudhës së dimrit të qëndrojnë më shumë në ambiente të mbyllura, në praninë e njerëzve të tjerë. Të dy këto faktorë që përmëndëm rrisin mundësinë e përhapjes së viruseve mes njerëzve.
Mënyra më e mirë për të shmangur infeksionin është kufizimi i ekspozimit ndaj viruseve, pavarësisht nga moti. Kjo do të thotë që duhet të shmangen kontaktet me njerëzit e infektuar, të mos preken sytë, hunda me dorë, duart duhet të lahen shpesh ( veçanërisht gjatë sezonit të gripit), dhe me mjete të përshtatshme dezinfektuese të pastrohen sipërfaqet të cilat mund të jenë të kontaminuara nga viruset.