Çfarë është e ftohura?

E ftohura (nazofaringitis, rinofaringitis ose viroza akute) është një sëmundje ngjitëse virale e traktit respirator të sipërm. Kryesisht prek mukozën e hundës dhe simptomat kryesore përfshijnë dhimbje të grykës, bllokim ose rrjedhje të hundëve, teshtima dhe kollitje. Virusi i ftohjes mund të prekë edhe sytë (konjuktivitis) dhe sinuset (sinusitis).
Simptomat zakonisht zhduken brenda 7 deri në 10 ditë, edhe pse disa simptoma mund të zgjasin deri në 3 javë. Në krahasim me gripin, e ftohura përfaqëson formën më të lehtë të sëmundjes.
E ftohura është sëmundja që shkakton vizitat më të shpeshta mjekësore dhe mungesat në shkollë ose në punë më shumë se çdo sëmundje tjetër (40% e mungesave në punë në USA shkaktohen nga sëmundja e të ftohurës). Kjo sëmundje transmetohet dhe përhapet lehtë. Bazuar në të dhënat statistikore, një person i rritur sëmuret nga e ftohura afërsisht 2 deri në 4 hërë në vit, ndërsa fëmijët në kolektiv deri në 12 herë gjatë vitit. Është vlerësuar që shtetasit e Bosnje dhe Hercegovinës kalojnë më shumë se 10 milion të ftohura në vit.

Më shumë se 200 viruse të llojeve të ndryshme mund të shkaktojnë të ftohurën. Këto viruse kanë aftësi të shkaktojnë inflamacion në hundë dhe grykë. Por ndër gjithë keto viruse, të ftohurën (30-80% të rasteve) e shkakton i ashtuquajturi rinovirus dhe koronavirusi (rreth 15% të rasteve), adenovirus (5%) dhe më rrallë virusi human i parainfluencës, virusi sincicial i frymëmarrjes, enterovirusi, metapneumovirusi… Zakonisht vërehet prania e më shumë se një virusi.

 

Çfarë është sezoni i të ftohurës?

Rrezikshmëria më e lartë e prekjes nga e ftohura është gjatë vjeshtës dhe dimrit, nga shtatori deri në Mars ose në Prill. Megjithatë, edhe pse mbizotëron mendimi se koha e ftohtë dhe të ftohurit mund të shkaktojnë të ftohurën, përsëri kjo nuk është e vërtetë. Sëmurja nga e ftohura mund ti atribuohet më shumë faktit që gjatë muajve të ftohtë, njerëzit kalojnë më shumë kohë në ambiente të mbyllura dhe afër njëri tjetrit. Kjo është edhe periudha e mësimit në shkolla gjë që rrit ekspozimin ndaj virusit. Gjithashtu, lagështia e ulët e ajrit ndikon në tharjen e kanaleve të hundës që i bën më të ndjeshme ndaj infeksionit, kushtet e tilla favorizojnë zhvillimin dhe përhapjen e virusit.

Cilët janë personat që kanë rrezikshmëri më të lartë të sëmurën nga gripi??

Fëmijët më shpesh sëmuren nga e ftohura për shkak të sistemit imunitar të pazhvilluar dhe kontaktit të afërt në shkolla dhe në kopshte. Gjatë një viti, çdo fëmijë sëmuret nga e ftohura afërsisht 6-10 herë (fëmijët e shkollës mund të sëmuren edhe deri në 12 herë nga e ftohura gjate vitit), ndërkohë që një person i rritur e kalon të ftohurën afërsisht 2-4 herë në vit.
Imuniteti i dobtë, mungesa e gjumit dhe kequshqyerja janë të lidhura me rrezikun më të lartë të zhvillimit të infeksionit pas ekspozimit ndaj rinovirusit. Ushqyerja me gji ulë rrezikun e komplikimeve siç është rasti i infeksionit akut të veshit të mesëm dhe i infeksionit të traktit respirator të poshtëm, prandaj rekomandohet që ushqyerja me gji të mos ndërpritet edhe kur foshnja është e ftohur.

Si diagnostifikohet e ftohura??

Në shumicën e rasteve, e ftohura diagnostifikohet në bazë të simptomave. Izolimi i viruseve që shkaktojnë të ftohurën bëhet shumë rrallë. Zakonisht nuk është e mundur të konfirmohet se për çfarë virusi bëhet fjalë duke u bazuar vetëm mbi simptomat. E ftohura mund të ngjasojë shpesh dhe me disa infeksione bakteriale, alergji dhe me gjëndje të tjera mjekësore, prandaj konsulta me mjekun është gjithmonë e nevojshme.

Komplikimet e të ftohurës

E ftohura në përgjithësi është një sëmundje e lehtë që zakonisht kalon spontanisht. Shumica e simptomave zhduken brenda 7 ditëve. 50% e të sëmurëve shërohen brenda 10 ditëve, dhe 90% e tyre brenda 15 ditëve. E ftohura mund të komplikohet nga një infeksion bakterial i mesëm dhe në këtë rast trajtimi me antibiotik është i nevojshëm, siç është rasti i infeksionit të veshit të mesëm (në 30% te rasteve) dhe i sinuseve (në 8 % të rasteve). Kur e ftohura shoqërohet me temperaturë të lartë, dhimbje sinusesh, zmadhim të gjëndrave limfatike dhe kollë produktive, kemi të bëjmë me komplikim të sëmundjes dhe atëherë është i nevojshëm trajtimi shtesë.