Gripi (influenca) është një infeksion viral ngjitës i rrugëve dhe organeve të frymëmarrjes. Vlerësohet që 5-20% e popullsisë vuan nga gripi çdo vit. Karakteristikat kryesore të gripit janë fillim i përnjëhershëm dhe ngritja e temperaturës, dhimbje muskujsh, dhimbje gryke dhe kollitje e thatë në fillim (pa ekspektorim).
Sëmundja prek të gjitha grup moshat. Edhe pse te shumica e njerëzve, sëmundja zgjat vetëm disa ditë, tek disa të tjerë sëmundja mund të marrë nje rrjedhë më të rëndë dhe serioze që shpesh kërkon dhe hospitalizim. Gripi mund të shkakton pneumoni dhe ka raste kur shkakton edhe vdekje.
Virusi i gripit (influenca) ndahet në tre tipe: A, B dhe C. Tipi A dhe B janë përgjegjëse për epideminë e gripit që shfaqet pothuajse çdo dimër. Virusi i tipit A paraqet patogjenin më virulent human dhe shkakton sëmundjet më të shpeshta dhe më të rënda tek njerëzit. Mutacioni i ngadaltë i virusit të tipit B dhe numri i vogël i të infektuarve bënë që të parandalohet pandemia e gripit të tipit B. Tipi C shkakton formën më të lehtë të sëmundjes siç është gripi pa simptoma. Ky lloj gripi nuk shkakton epidemi dhe nuk ka ndonjë ndikim në shëndetin publik, siç ka gripi i tipit A dhe B.
Gjenomi i virusit të tipit A përmban 11 gjene të cilët kodifikojnë sintezën e 11 produkteve gjenetike (proteinave), nga të cilët më të rëndësishmit janë hemaglutinina (HA) dhe neuraminidaza (NA). HA dhe NA gjendet në pjesën e jashtme të grimcës së virusit: HA ndërmjetëson në bashkimin e virusit me target qelizën në mukozën e rrugëvë të frymëmarrjes dhe në hyrjen e gjenomit viral ne atë qelizë, ndërsa NA është përgjegjëse për zbrazjen e përmbajtjes së virusit nga qelizat e infektuara dhe në përhapjen e infeksionit tek qelizat dhe tek njerëzit e painfektuar. HA dhe NA janë dhe antigjenë kundrejt te cilëve organizmi prodhon antitruptha (të rëndësishëm për zhvillimin e imunitetit dhe vaksinës), janë cak i veprimit të ilaçeve antivirale, dhe shërbejnë edhe si bazë për klasifikimin serologjik në nëntipe të virusit të tipit A (nëntipet më të njohur janë 16 H dhe 9 H, por vetëm H 1, H2 dhe H3, ose N 1 dhe N 2 jane vërejtur tek njerëzit).
Tipet të cilat transmetohen lehtësisht mes njerëzve (psh H1N) përmbajnë HA e cila lidhet në qelizat e mukozës së traktit të sipërm respirator, siç është hunda, gryka dhe goja. Nga ana tjetër, tipi më virulent dhe vdekjeprurës (psh H5N1, i njohur si gripi i shpëndëve) lidhet në qelizat që gjenden më thellë, në mushkëri. Ky dallim i vendit të hyrjes së virusit ndoshta është pjesërisht përgjegjës për faktin që lloji H5N1 shkakton forma të rënda të sëmundjes me inflamime virale te mushkerive (që më vështirë transmetohet), ndërsa H1N1 shkakton forma disi më të lehta të sëmundjes (që transmetohen më lehtë përmes kollitjes ose tështimës).
Viruset e gripit vazhdimisht pësojnë mutacione dhe ndryshime, gjë që pamundëson që antitrupat e „vjetër“ të fituar nga infeksionet e mëparshme si rezultat i përgjigjes së sistemit imunitar të organizmit, plotësisht të njohin viruset „e reja“ që kanë pësuar mutacion dhe veprojnë kundër tyre. Kështu që një person mund te vuajë nga gripi disa herë. Megjithatë, antitrupat e vjetër mundësojnë vetëm mbrojtje të pjesëshme dhe të shkurtër nga ri-infektimi nga gripi.
Aktualisht, tre janë viruset kryesore që qarkullojne nepër botë: dy jane të tipit A dhe një është virusi i tipit B. Me qëllim parandalimin e sëmundjes, çdo vit përgatitet lloj i ri i vaksinës e cila përmban lloje të tipeve të virusit që priten të shkaktojnë epidemi gjatë atij viti.
Çfare është sezoni i gripit?
Gripi çdo vit përhapet ne epidemi. 3 deri ne 5 milion njerëz çdo vit sëmuren rëndë nga gripi, nga të cilët 250.000 deri në 500.000 njerëz vdesin. Epidemitë zakonisht ndodhin në periudhën e dimrit në pjesën veriore dhe jugore të planetit, ndërsa në zonën përreth ekuadorit, epidemitë mund të zhvillohen në çdo stinë të vitit.
Gripi çdo vit përhapet në epidemi. 3 deri në 5 milion njerëz çdo vit sëmuren rëndë nga gripi, nga të cilët 250.000 deri në 500.000 njerëz vdesin. Epidemitë zakonisht ndodhin në periudhën e dimrit në pjesën veriore dhe jugore të planetit, ndërsa në zonën përreth ekuadorit, epidemitë mund të zhvillohen në çdo stinë të vitit.
Epidemitë e një spektri më të gjërë qe kalojnë kufijtë e kontinenteve, të njohura si pandemi, janë duke u bërë më të shpeshta. Ne shekullin e 20-të ndodhën tri pandemi: gripi spanjoll i vitit 1918 (tipi A/H1N1), gripi aziatik i vitit 1958 (tipi A/H2N2), dhe gripi i honkongut HK i vitit 1968(tipi A/H3N2), dhe secili nga to mori më shumë se një milion jetë. Epidemia që shpërtheu nga i ashtëquajturi gripi i derrit (tipi A/H1N1) në vitin 2009 gjithashtu u shndërrua në pandemi (përveç njerëzve, nga ky grip u sëmurën dhe shumë kafshë: epidemitë tek derrat janë një dukuri e zakonshme, ndërsa shpendët konsiderohen si rezervuari bazë i kafshëve që mbartin virusin e gripit.
Numri i saktë i të vdekurve nga pandemia në periudhën 1918-1919 nuk është i njohur, por është vlerësuar në më shumë se 20 milion njerëz (rreth 2,5-5 % e numrit të përgjithshëm të popullsisë botërore të atëhershme). Mënyrat moderne dhe dinamike të lëvizjes së njerëzve kontribuojnë në përhapjen e shpejtë të virusit dhe në lehtësinë në kalimin e kufijve kontinental. Një studim shkencor ka vlerësuar se në kohën e sotme, në pandemi gripi e shkaktuar nga lloji i virusit të virulencës së lartë- te ngjashme me atë të vitit 1918 mund të shkaktojë vdekje te 50 deri në 80 milion njerëz.
Kush rrezikohet më shumë nga gripi??
Njerëzit që rrezikohen më shumë nga gripi, domethëne ai grup popullate që ka rrezik më të madh që gripi mund të shkaktojë komplikime dhe që mund të shndërrohet në një sëmundje të rëndë dhe të rrezikshme quhen persona me rrezikshmëri të lartë . Personave të tillë ju rekomandohet vaksina kundër gripit, me qëllim përforcimi të imunitetit dhe zvogëlim të rrezikut për zhvillim të komplikimeve , formave të rënda apo vdekshmërisë.Vdekshmëria nga gripi është më e shpeshtë te fëmijët (sistemi i tyre imunitar është ende i pazhvilluar) tek të rinjtë, te moshat e vjetra dhe te personat qe vuajnë nga probleme të tjera shëndetësore.
Si diagnostifikohet gripi ?
Gripi diagnostifikohet në bazë të simptomave kryesore gjatë epidemisë se gripit. Meqenëse simptomat e gripit mund të imitojnë simptomat e sëmundjeve të tjera, gjithmonë është mirë që të vizitoheni te mjeku. Infeksioni viral mund të konfirmohet nga analiza e materialit të marrë nga gryka, pështyma ose nga hunda. Ekzistojnë disa lloje analizash, në bazë të të cilave mund të konfirmohet shpejt prania e virusit. Gjithësesi, mund të ndodhë që infeksioni të jetë i pranishëm edhe kur analizat janë negative. Reaksioni zinxhiror polimerazë (PCR) që detekton acidin ribonukleinik të virusit ofron një metodë më të saktë.
Komplikimet e gripit
Pasojat e virusit të gripit janë më serioze dhe zgjasin më shumë se pasojat që shkaktohen nga virusi i ftohjes. Gjithsesi, pjesa më e madhe e të sëmurëve nga gripi shërohen plotësisht pas një ose dy javëve. Por një numër i vogël i të sëmurëve, siç janë personat më të vjetër se 50 vjeç, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe personat e moshave të ndryshme që vuajne nga sëmundje kronike ose që kanë sistem imunitar të dobët janë më të rrezikuar nga komplikimet e gripit. Komplikimet e gripit mund të perfshijne inflamim viral te mushkërive dhe /ose bronhheve, pneumoninë bakteriale të shkallës së dytë, infeksionin e sinuseve dhe të veshit…Gripi mund të përkeqësojë problemet e tjera shëndetësore kronike ekzistuese, sidomos ato të lidhura me sistemin e frymëmarrjes dhe zemrën. Duhanpirësit shpesh vuajnë nga gripi dhe janë më të prirur për formën më të rëndë të kësaj sëmundje dhe kanë vdekshmërinë më të lartë nga gripi.
Në disa raste reagimi autoimunitar i nxitur nga infeksioni viral mund të kontribuojë në zhvillimin e komplikimeve, siç është dhe shëmbulli i sindromës Guillain-Barré (që shkakton humbjen e reflekseve dhe paralizën e të gjithë trupit, që fillon në këmbë dhe pastaj përhapet në gjymtyrët e sipërme dhe në fytyrë). Konsiderohet që kjo sindromë është dhe efekti anësor i rrallë i vaksinës së gripit.