Qëndroni të shëndetshëm

Si ta parandalojme ftohjen?

 

Ftohja është një sëmundje ngjitëse. Më së shpeshti përhapet me anë të ajrit, nga thithja e pikëzave të vogla të sekretit që personi i infektuar nxjerr me anë të kollitjes ose teshtimës. Konsiderohet që në këtë mënyrë inflamacioni përhapet në largësi relativisht të vogla. Virusi shpesh mund të përhapet dhe me anë të të prekurit, me anë të duarve dhe objekteve të kontaminuara. Virusi ka jetëgjatësi të shkurtër në objektet e përdorimit të përditshëm, si: dorezat e dyerve, kartmonedhat, stilolapset, tastiera e kompjuterit, telefonat celularë, enët e ushqimit etj., dhe pas kontaktit me to me duar të palara preket fytyra, goja, hunda ose sytë. Rinovirusi jashtë organizmit mund të mbijetojë deri në 18 orë.

Mënyra më e mirë për të parandaluar ftohjen është të zvogëloni rrezikun e transmetimit të virusit, kryesisht mes fëmijëve duke bërë larje të shpeshtë të duarve (me sapun dhe ujë, ose me dezinfektues me bazë alkooli, psh. Alkosol®) dhe shmangien e kontakteve të ngushta (puthje, përqafime, shtrëngime duarsh) me personat e ftohur. Kur jeni të rrethuar nga persona të sëmurë dhe nëse ekziston mundësia që duart tuaja janë të kontaminuara nga virusi, në asnjë mënyrë mos prekni hundën, gojën ose sytë.

Nga pikëpamja e shëndetit publik, izolimi nuk është i mundur duke pasur parasysh se sëmundja është shumë e përhapur dhe simptomat nuk janë specifike. Duke pasur parasysh numrin e madh të viruseve që shkaktojnë këtë sëmundje dhe faktin se këto viruse mund të transformohen shumë shpejt, është pothuajse e pamundur përgatitja e një vaksine të një spektri të gjërë veprimi.

Personat me ftohje të shkaktuar nga rinovirusi janë më infektivë gjatë tre ditëve të para që nga shfaqja e simptomave. Pas tre ditëve, mundësia e infektimit shkon në rënie me kalimin e kohës. Personat e ftohur duhet të tështijnë ose të kolliten në faculetë me një përdorim dhe faculeta duhet të paloset shpejt dhe të hidhet në mënyrë të përshtatshme dhe menjëherë duhet të lahen duart. Personat duhet të tështijnë në atë mënyrë që pjesa e parakrahut ose pjesa e brendshme e bërrylit të jetë e vendosur para gojës. Kohët e fundit konsiderohet që vendosja e duarve para gojës në rast tështitje nuk është e përshtatshme sepse në këtë mënyrë mund të përhapen mikrobe nga kontakti me njerëz të tjerë. Kjo mund të zvogëlojë mundësinë e infektimit por nuk mund ta eliminojë plotësisht. Hulumtimet tregojnë që rinovirusi jashtë mukozës së hundës mund të mbijetojë 3-18 orë. Prandaj pastrimi i sipërfaqeve të objekteve të ndryshme, me ndihmën e dezinfektuesve të përshtatshëm (psh. Aseptan® ose Bakticid®), mund të kontribuojë në parandalimin e përhapjes së virusit.

 

Si parandalohet gripi?

 

Gripi përhapet në rrugë të ngjashme si dhe e ftohura, prandaj dhe masat parandaluese/ mbrojtëse janë të ngjashme si në rastin e sipërpërmëndur të ftohjes.

Personi i sëmurë me grip mund të infektojë të tjerë përpara se të manifestojë sëmundjen dhe gjatë sëmundjes. Tek personat e tjerë të cilët nuk kanë probleme të tjera shëndetësore, sekrecionet e virusit të gripit (dmth periudha në të cilën personi i infektuar mund të transmetojë sëmundjen tek personat e tjerë) rriten ndjeshëm që ditën e parë të infektimit. Infektimi arrin kulmin ditën e dytë dhe zgjat afërsisht 5 ditë, por ka raste që mund të zgjasë dhe 9 ditë. Fëmijët janë shumë më infektivë se të rriturit dhe tek ata virusi sekretohet pak më parë sesa të fillojë zhvillimi i simptomave dhe ky proces mund të zgjasë dhe deri në dy javë pas infektimit. Tek personat me imunitet të dobët, sekretimi i virusit mund të zgjasë edhe më gjatë se dy javë.

Me anë të kollitjes dhe teshtimës nxirren një numër i madh (3.000-40.000) pikëzash të vogla të cilat përmbajnë viruse dhe që përhapen në ajër. Pikëzat me një diametër prej 0.5- deri në 5 mikronë (1 mikron =1 e milionta e një metri) janë mjaft të vogla për tu thitur, dhe thithja e vetëm një pikëze të vogël që përmban virusin e gripit mund të jetë e mjaftueshme për të shkaktuar inflamacionin. Pjesa më e madhe e pikëzave jane mjaft të mëdha dhe nuk qëndrojnë gjatë në ajër por në sipërfaqet dhe objektet e kontaminuara dhe kështu virusi mund të mbijetojë më gjatë edhe deri në disa ditë, veçanërisht nëse janë të mbuluara me mukus, i cili mund ti mbrojë deri në dy javë. Lagështia e ulët e ajrit dhe mungesa e diellit ( dmth rrezeve ultravjollcë) gjatë periudhës së dimrit favorizojnë mbijetesën më të gjatë të virusit. Eshtë e dokumentuar se transmetimi i virusit nëpërmjet pikëzave është më intesiv në një mjedis të ftohtë dhe me lagështi relativisht të ulët të ajrit.

Në disa vënde të zhilluara gjatë sezonit të gripit/ftohjes shpesh është praktikë vendosja e maskave higjenike/ kirurgjikale në fytyrë në situatat e kontaktit të afërt me persona të tjerë. Maskat perdoren dhe nga të sëmurët dhe nga personat që kujdesen për të sëmurët. Nuk ka prova se personat e shëndetshëm mund të mbrohen nga infektimi me anë të vendosjes së maskës në fytyrë.

Nga pikëpamja e shëndetit publik, epidemia e gripit mund të përhapet shumë shpejt dhe është vështirë per tu kontrolluar. Pjesa më e madhe e llojeve të viruseve të influencës nuk janë ngjitës në masë të madhe, kështu që afërsisht çdo person i infektuar mund të infektojë maksimalisht një ose dy persona të tjerë. Gjithsesi, koha e gjenerimit të virusit të influencës është shumë e shkurtër: nga momenti që një person infektohet dhe deri në momentin që ky person infekton një person tjetër kalojnë vetëm dy ditë. Koha e shkurtër e gjenerimit shpjegon faktin se pse epidemitë e gripit fillojnë dhe mbarojnë në një kohë relativisht të shkurtër, afërsisht disa muaj. Epidemia e gripit si rregull arrin kulimin pas përafërsisht dy muajve dhe përfundon pas tre muajve. Prandaj vendimi per t’iu përgjigjur epidemisë së gripit duhet të merret në kohë, dhe shpesh ky vendim merret në bazë të të dhënave jo të plota. Një problem tjetër paraqet edhe fakti se personat e infektuar janë infektivë edhe para shfaqjes së simptomave, që do të thotë se izolimi i personave të infektuar pasi sëmuren nuk paraqet një ndërhyrje efektive në shëndetin publik.

Edhe pse efikasiteti i vaksinës së gripit mund të ndryshojë nga një person tek një tjetër, në varësi të faktorëve të tillë si mosha ose gjëndja e përgjithshme shëndetësore e atyre personave, për grupe të caktuara vaksinimi rekomandohet të paktën dy javë para fillimit të sezonit të gripit. Vaksina e re futet në treg çdo shtator. Përveç vaksinave standarte, kohët e fundit në treg janë shfaqur dhe vaksina kundër gripit në formën e spray-it që aplikohen përmes mukozës së hundës. Gjithashtu, ekzistojnë dhe disa medikamente antivirale të cilat në disa vënde janë të liçensuar për përdorim me qëllim parandalimin e gripit.