Mbi simptomat e gripit dhe të ftohjes

Cilat janë simptomat e ftohjes??

Simptomat dhe shërimi i ftohjes kanë qënë të përshkruar qysh herët, që në listën e Egjiptianëve të lashtë- në Papirusin e Ebersit, dokumenti më i vjetër mjekësor ekzistues që daton që nga shekulli i XVI para erës së re.

Duke vënë në dukje që ka dallime individuale në shprehjen e simptomave, simptomat më të shpeshta të ftohjes janë:

  • bllokim hundësh ose rrjedhje nga hundët,
  • ndjesi gërrvishje, djegie ose shtrëngimi në fyt,
  • tështitje,
  • lotim,
  • temperaturë e lartë,
  • dhimbje gryke,
  • kollitje e lehtë dhe e thatë,
  • dhimbje muskujsh dhe kockash,
  • dhimbje koke,
  • lodhje,
  • ndjesi të ftohuri /ethe,
  • sekrecion i lëngshëm nga hunda që shndërrohet në sekrecion të trashë dhe ndryshon ngjyrën nga e verdhë ne jeshil.

Simptomat e ftohjes zakonisht shfaqen dy deri në tre ditë pas hyrjes së virusit në organizëm dhe mund të zgjasin nga disa ditë në disa javë. E ftohura zakonisht fillon me ndjesinë e lodhjes, ethe, teshtima dhe dhimbje koke. Shpesh shoqërohet dhe me dhimbje gryke, për të vijuar me simptomat siç janë rrjedhje hundësh dhe kollë, të cilat shafqen brenda dy ose me shumë ditësh. Simptomat mund të fillojnë brenda 16 orësh që nga momenti i ekspozimit ndaj virusit, dhe zakonisht arrijnë kulmin e tyre 2 deri ne 4 ditë pas infektimit. Zakonisht simptomat ndalojnë në periudhën nga 7 deri në 10 ditë, por nganjëherë mund të zgjasin deri në tre javë. Kohëzgjatja mesatare e kollës është rreth 2 javë, por në disa raste pacientët zhvillojnë post-kollën virale që mund të vazhdojë të jetë e pranishme edhe pas shërimit të inflamacioni . Tek fëmijët, në 35-40 % të rasteve, kolla zgjat më shumë se 10 ditë, dhe tek 10% e tyre mund të zgjasë edhe më gjatë se 25 ditë. Një numër virusesh që shkakton të ftohurën e zakonshme mund të shfaqet në formën e infeksionit viral pa simptoma (asimptomatik). Përqindja e infeksioneve asimptomatike është më e madhe te personat e moshuar për arsye të imunitetit të ulët. Meqenëse simptomat e të ftohurës mund të imitojnë simptomat e sëmundjeve të tjera, gjithmonë është mirë të konsultoheni me mjekun.

 

Cilat janë simptomat e gripit?

Simptomat e gripit për herë të parë i ka përshkruar Hipokrati, rreth 2.400 vjet më parë. Edhe pse gripi konsiderohet si sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes, simptomat tregojnë përfshirjen e të gjithë trupit. Sëmundja zakonisht fillon papritmas. Simptomat zakonisht fillojnë dy ditë pas ekspozimit me virusin dhe në përgjithësi zgjasin më pak se një javë. Kolla dhe ndjesia e lodhjes mund të zgjasin edhe më gjatë. Duke vënë në dukje se ka dallime individuale në shprehjen e simptomave, të cilat mund të variojnë nga të lehta deri në jashtëzakonisht të rënda, simptomat më të shpeshta të gripit janë:

  • temperaturë e lartë (zakonisht filllon me ethe),
  • dhimbje koke,
  • rrjedhje hundësh ose bllokim hundësh,
  • teshtima të kohëpaskohëshme,
  • kollitje, shpesh shumë e theksuar dhe e rëndë,
  • dhimbje dhe therrje në muskuj, kryesisht në shpinë dhe në këmbë,
  • lodhje e përgjithshme,
  • nganjëherë dhimbje gryke,
  • dobësi e theksuar, lodhje.

 

Te një person i zakonshëm simptomat e gripit arrijnë kulminacionin ditën e tretë. Temperatura e lartë dhe dhimbjet zakonisht zgjasin tre deri në pesë ditë, por kolla dhe ndjesia e lodhjes mund të zgjasin me gjatë, edhe deri në disa javë. Edhepse gripi mund të shkaktojë të përziera, dhimbje barku, të vjella dhe diarre, këto simptoma shfaqen shumë rrallë te të rriturit, por mund të shfaqen tek fëmijët, veçanërisht këto simptoma mund të jenë shumë të theksuara tek ata fëmijë të cilët vuajnë nga gripi i shkaktuar nga virusi i tipit B. Terma të tilla siç janë “gripi i barkut” ose „gripi 24 orësh” janë emërtime të pasakta që shpesh përdoren për të përshkruar simptoma të ngjashme të sëmundjeve të traktit gastrointestinal të shkaktuara nga mikroorganizma të tjerë.
Rreth 30 % e personave që vuajnë nga gripi nuk kanë simptoma. Nga ana tjetër, gripi mund të shkaktojë drejtpërdrejt pneumoni virale me vështirësi në frymëmarrje. Nëse duket që i sëmuri fillon të përmirësohet, dhe më pas ka përsëri ngritje temperature, kjo përfaqëson një shenjë që ndoshta bëhet fjalë për pneumoni bakteriale dytësore.